Biografia
Prof. As. Dr. Kujtim Haxholli ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe drejtim akademik në fushën e edukimit fizik dhe sporteve. Formimin profesional në këtë fushë e ka nisur në Shkollën e Mesme të Mjeshtërisë Sportive në Tiranë, ndërsa studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Sporteve në Pekin.
Karrierën profesionale e ka zhvilluar fillimisht si mësues i edukimit fizik në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Durrës. Më pas, për një periudhë të gjatë, ka ushtruar veprimtarinë akademike si pedagog dhe Përgjegjës i Katedrës së Gjimnastikës pranë Institutit të Lartë të Kulturës Fizike. Në vijim ka shërbyer si pedagog dhe drejtues departamenti në Universitetin e Sporteve të Tiranës.
Prof. Haxholli është autor i teksteve mësimore dhe monografive në fushën e edukimit fizik dhe sporteve, si dhe pjesëmarrës në projekte të ndryshme me fokus zhvillimin e sportit në Shqipëri. Krahas veprimtarisë akademike, ai ka një karrierë të spikatur në sportin elitar, veçanërisht në gjimnastikë, ku është dalluar si kampion dhe rekordmen. Përvojën e tij sportive e ka përcjellë më tej si trajner i ekipeve kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, duke kontribuar në përgatitjen dhe zhvillimin e brezave të sportistëve të rinj. Për shumë vite ka mbajtur gjithashtu funksione drejtuese në Federatën e Gjimnastikës, fillimisht si Sekretar dhe më pas si President i saj.
Në veprimtarinë e tij profesionale përfshihet edhe angazhimi në fushën e aktivitetit fizik të individualizuar dhe trajtimit shëndetësor. Ai ka qenë ndër të parët që ka zhvilluar studio private në këtë fushë në Shqipëri, duke ushtruar gjithashtu veprimtarinë si trajner personal dhe terapist për përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë.
Prof. As. Dr. Kujtim Haxholli mban gradën shkencore “Doktor” dhe titullin akademik “Profesor i Asociuar”.
