Biografia
Prof. Dr. Harizaj është diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë pranë Università degli Studi di Perugia, Itali (1980-1985), duke marrë vlerësimin 110/110 e lode. Ai gjithashtu ka ndjekur studimet për gjuhën italiane në Università Italiana per Stranieri di Perugia (1979-1980). Mori titullin shkencor “Doktor i shkencave” në vitin 1992. Përgjatë karrierës së tij ka kryer kualifikime të shumta shkencore dhe trainime afatshkurtra në institucione ndërkombëtare, duke përfshirë Universitetin e Udine-s dhe Perugia-s në Itali, programe në SHBA, dhe në universitete në Gjermani.
Karriera e tij profesionale në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) filloi në vitin 1985 si Asistent në Biokiminë e Bimëve dhe më pas Pedagog i Biokimisë. U bë Titullar i lëndës së Biokimisë në vitin 1992, mori titullin “Profesor i Asociuar” në 1995 dhe “Profesor” në 2002. Prof. Harizaj ka mbajtur pozicione të larta drejtuese, duke përfshirë Dekan i Fakultetit të Bujqësisë (2003-2007) dhe Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës (Janar 2008 – Prill 2016). Ai ka shërbyer gjithashtu si Këshilltar për bujqësinë në Presidencën e Republikës së Shqipërisë (1994-1997).
Aktualisht është pjesë e Departamentit të Teknologjisë Ushqimore dhe Turizmit pranë Kolegjit Universitar “Qiriazi”. Veprimtaria e tij shkencore përfshin dhjetra artikuj dhe referime në konferenca ndërkombëtare, duke u fokusuar në biokiminë e tokës, ndikimin dhe mbetjet e pesticideve, si dhe monitorimin e metaleve të rënda në tokat bujqësore dhe në bimë. Është autor dhe bashkëautor i teksteve mësimore universitare, si “Leksione të Kimisë me bazat e Biokimisë” (1989), “Elemente të Biokimisë” (1998), dhe “Biokimia” (2004).
