Shqip
Shqip

Dr. Gjovalin Gjeloshi është agronom, studiues, gazetar dhe publicist me një veprimtari të gjatë profesionale në fushën e bujqësisë, hortikulturës dhe medias. Është diplomuar për Agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ku ka përfunduar edhe studimet e avancuara dhe ka fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në Hortikulturë.

Veprimtaria e tij kërkimore-shkencore është e lidhur veçanërisht me studimin dhe kultivimin e aktinidias (kivit) në Shqipëri. Ai është ndër specialistët e parë që është angazhuar me futjen dhe kultivimin e kësaj bime në vend pas viteve 1990. Studimet e tij kanë trajtuar përshtatjen e aktinidias në kushtet agroklimatike të Shqipërisë, shtrirjen e saj në Ultësirën Perëndimore, si dhe teknikat e shumimit dhe prodhimit të fidanëve. Është autor dhe bashkautor i dy librave kushtuar kësaj kulture, si dhe i artikujve shkencorë në fushën e hortikulturës.

Krahas profilit akademik dhe profesional në agronomi, Dr. Gjeloshi ka një veprimtari të gjatë në gazetari dhe publicistikë, të nisur që në rini dhe të zhvilluar më tej gjatë studimeve universitare. Ka qenë sekretar i kolegjiumit dhe kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë” dhe, në vijim, autor i një numri të konsiderueshëm artikujsh, reportazhesh dhe botimesh publicistike. Shkrimet e tij trajtojnë çështje bujqësore, mjedisore, sociale, ekonomike dhe politike.

Një tjetër drejtim i veprimtarisë së tij është administrimi dhe legjislacioni zgjedhor. Ka marrë pjesë në administrimin e proceseve zgjedhore vendore dhe kombëtare, si dhe në trajnime dhe aktivitete të specializuara brenda dhe jashtë vendit. Përvoja e tij në këtë fushë është reflektuar edhe në botime, ndër të cilat libri “Zgjedhjet në Bosnjë-Hercegovinë”, botuar me mbështetjen e IFES (USAID).